Friday, December 18, 2009

VËLLAZËRIA E KATËRFISHTË!

Vëllazëria mes njerëzve ndahet së paku në katër kategori. Ajo më e përgjithshmja tejkalon çdo barrierë që mund t’i paraqitet, si feja, kombi, gjuha, raca apo ndonjë dallim tjetër. Madje në këtë kontekst, vëllazëria tejkalon edhe gjininë.
Kalimi nga shkalla më e ulët e vëllazërisë – e qenies, tek më e larta – e gjakut, farefisit, përfaqëson një proces të ngritjes së kohezionit vëllazëror. Kategoria e parë është vëllazëria më e gjeneralizuar e mundshme, por njëkohësisht edhe më e përçara, ndara, johumanja, nënçmuara e përçmuara. Mbase pikërisht gjeneralizimi i kontribuon zbehjes së kohezionit vëllazëror.
Me të drejtë mund të pyes çdo njëri: ç’është me këtë lloj vëllazërie e cila njëkohësisht na qenka më e përgjithshmja dhe më e përçara!? - Është vëllazëria e qenies!
Vëllazëria e qenies në kohët më të hershme ishte më sublimja, e larta, ndërsa sot është e nivelit më të ulët. Ishte ashtu, atëherë, sepse ky tip vëllazërie në fillesat e saj përbënte vëllazërinë e katërfishtë njëkohësisht. Pjesëtarët e atij komuniteti ishin vëllezër për nga qenia, feja, etnia-kombi dhe gjaku – farefisi. Ndërkaq, nga momenti kur popullsia fillon të shënoj ngritje, duke u manifestuar me ndarje të familjeve bërthamë, krijimin e fiseve, ngjizjen e feve joprofetike, diversitet kulturash, krijimin e kombeve, rrethana të caktuara ekonomike, politike e ideologjike – ky tip vëllazërie nisë të degradohet gradualisht, duke e humbur përfundimisht efektin që e kishte. Shmangiet e ndarjet janë pritur, por jo deri në këtë shkallëzim që ka marrë përmasa tejet shqetësuese.
Etapë pas etape duke filluar nga e përgjithshmja, vëllazëria vjen duke e shtuar kohezionin, humanitetin, afërsinë dhe solidaritetin.

Klasifikimi i kategorive të vëllazërisë do të bëhet duke u bazuar e filluar nga parimi i shumicës, për të vazhduar tutje.

1. Vëllazëria e qenies

Kategoria e parë është vëllazëria e qenies. Që do të thotë se të gjithë njerëzit janë vëllezër pa asnjë dallim të vetëm.
Pasi që njeriu është i përbërë nga shpirti e trupi, dhe të gjithë njerëzit tjerë janë të së njëjtës trajtë, të gjithë ata duhet të konsiderohen vëllezër për nga qenia.
Në ketë kategori të gjithë njerëzit janë vëllezër, pa dallim feje, kombi, race, moshe apo dallim tjetër. Përcaktues i këtij tipi vëllazëror nuk ishte njeriu, por një qenie tjetër mbi te - Zoti. Zoti ka përcaktuar se njeriu duhet të përbehet nga shpirti dhe trupi, e që mendja do të jetë elementi kyç që do e dallojë nga qeniet tjera materiale. Megjithatë, duhet të kujtohet se kjo kategori është më e zbehta nga gjitha të tjerat.

Po të vlerësohej ky tip vëllazërie, paragjykimet, stereotipet, diskriminimet, konfliktet e luftërat, pa dyshim se do të ishin minore. Ndërsa nga çasti kur njeriu e mbivlerëson dhe i jep vetvetes atribute superiore në raport me të tjerët, fillon urrejtja për ata, me ç’rast bie efekti i vëllazërisë së qenies, që rezulton me përhapjen e racizmit, i cili vije si pasojë e paragjykimit e përgjithësimit, dhe manifestohet me diskriminim e shtypje.

2. Vëllazëria fetare

Kategoria e dytë është vëllazëria për nga feja. Kalimi nga vëllazëria e qenies, tek ajo e fesë shënon një ngritje vëllazërore, megjithëse ende të një niveli jo të lartë. Këtë e pamundësojnë nacionalizmi e ideologjia.
Në këtë kategori vëllezërish, që të gjithë pjesëtarët e një feje të caktuar, janë vëllezër për nga ajo fe të cilës i përkasin, pavarësisht kombit, racës, ideologjisë, rrymave politike etj. Një shqiptar mysliman është vëlla për nga feja me një arab apo turk mysliman. Siç është edhe një shqiptar katolik vëlla i një katoliku amerikan apo gjermani katolik. Në këtë kategori thyhen kufijtë nacional-kombëtar, vëllazëria tejkalon kornizat kombëtare, por, sigurisht jo në të gjitha rastet, kushtet e rrethanat.

3. Vëllazëria kombëtare

Kategoria e tretë, ka të bëjë me vëllazërinë kombëtare, e cila zhvillohet mes pjesëtarëve të një kombi pa dallim feje a krahine. Të gjithë pjesëtarët e një etnie-kombi me përkatësi të ndryshme konfesionale, krahinore e regjionale janë vëllezër për nga kombi. I bazuar në etninë, gjuhën dhe kulturën e përbashkët – kombi është një bashkësi e vetëdijshme kulturore historike.
Që të gjithë shqiptarët mysliman janë vëllezër për nga kombi me shqiptarët katolik, ortodoks apo protestant. Kurrsesi nuk duhet të lejohet që feja të bëhet pengesë për vëllazërinë kombëtare, e as anasjelltas.
Ndërsa tek feja, nacionalizmi dhe ideologjia ishin pengesë për kohezionin vëllazëror, tek vëllazëria kombëtare ngjanë e kundërta, feja, apo më saktë interpretimi bukfal i saj, bëhet pengesë. Sidoqoftë në të dyja rastet, feja dhe kombi nuk janë pengesë e patejkalueshme për njëra tjetrën. E as nuk e përjashtojnë njëra tjetrën, siç mund të mendojë dikush.
Përkundrazi, feja dhe kombi janë dy anë të së njëjtës medalje, të pandashme dhe plotësuese për njëra tjetrën.

Pyetjes se një shqiptari nacionalist drejtuar një shqiptari religjioz, se a jeni shqiptar apo mysliman ose katolik, duhet t’i përgjigjemi duke shtruar pyetje: ju vëlla, jeni (ta zëmë) 20 vjeçar apo jeni mashkull? Një person domosdoshmërish e ka një moshë dhe gjini të caktuar. Ndërsa mosha dhe gjinia janë dy komponentë të domosdoshme që e përbejnë njeriun, feja dhe kombi shërbejnë si dy entitete që e formësojnë personalitetin dhe karakterin e tij.Prandaj pyetja a jeni shqiptar apo mysliman, katolik, ortodoks është ekuivalente me pyetjen, a i keni 20 vjet, apo i përkisni gjinisë mashkullore!
Ndërkohë, derisa një nacionalist mund të propozojë shuarjen e feve, me pretekstin se ato mund të jenë pengesë për kohezionin vëllazëror të kombeve, një religjioz, në anën tjetër, mund të propozoj shembjen e kombeve, me pretekstin se ato janë pengesë për ta realizuar vëllazërinë fetare. Këtu domosdo duhet të nxirret sinteza hegeliane.

Kalimin nga vëllazëria e fesë tek ajo e kombit, Platoni mbase do ta quante lëvizje nga bota e dukshme në atë të kuptueshme. Megjithëse në këtë rast, jo domosdoshmërish është kështu.

4. Vëllazëria e gjakut

Vëllazëria e gjakut (nga familja e ngushtë, tek ajo më e gjerë) është kategoria e katërt vëllazërore. Në kontekstin e përgjithshëm, më e larta e mundshme. Janë disa faktorë që e bëjnë këtë tip vëllazërie të radhitet në nivelin më të lartë. Ata janë: faktori biologjik, farefisnor, emocional e ambiental.
Kjo kategori është më e larta e mundshme, ngase e vetmja e ka mundësinë të ngërthejë vëllazërinë e katërfishtë.


Muhamet Krasniqi
Student i Departamentit
të Sociologjisë – UP

Wednesday, October 28, 2009

PAMUNDËSIA E KOZMOPOLITIZMIT...!

Nëse ende ekzistojnë idealistë që përpiqen të reflektojnë mbi ndërtimin e një sistemi kozmopolit – ideologji kjo që pretendon t’i shuajë ndjenjat kombëtare, duke synuar arritjen e një shoqërie që do t’i kapërcente kufijtë shtetërorë, atëherë eksponentët e saj duhet të mendojnë që së pari të bashkohen kombet e ndara padrejtësisht, për të vazhduar më tutje. Ky do të ishte parakushti kryesor, që do t’i shërbente realizimit të kozmopolitizmit. Por, pasi që historia ka dokumentuar, e tashmja vërteton ndërsa e ardhmja është jo shpresëdhënëse se kozmopolitizmi për të mos thënë një teori utopike e parealizueshme, është tejet vështirë për t’u arritur, duke u bazuar në faktin se që të gjitha ato sisteme e ideologji deri në ditët e sotme si: skllavopronaria, feudalizmi, kapitalizmi, socialdemokracia, socializmi, përpjekja drejt komunizmit e liberalizmi - kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë se asnjëherë nuk do të mund të arrihet kozmopolitizmi (edhe nëse ky nuk ka qenë/është ideal i asnjërit prej tyre), atëherë medoemos duhet të synohet bashkimi i kombeve me prejardhje, gjuhë dhe kulturë të përbashkët, siç është rasti i shqiptarëve të ndarë ende në dy shtete dhe disa krahina, dhe shembulli konkret i bashkimit të Gjermanisë perëndimore me atë lindore, të cilin ne duhet ndjekur. Të cilën e ndau ideologjia, por e bashkoi kultura.

Përveç dobive ekonomike, sociale e sigurie që do të sillte bashkimi kombëtar, njëkohësisht ai sjell me vete edhe një dobi qenësore, e cila ka të bëjë me humanizmin e solidaritetin e ndërsjellë mes vëllezërve të një gjaku me kulturë e prejardhje të përbashkët.
Kjo dobi ka të bëjë me unitetin e shqiptarëve, vëllazërinë mes tyre dhe solidaritetin e pashkëputshëm, i cili do të bënte të mundur shuarjen e një konflikti eventual në rajon, fillimisht ndërmjet shqiptarëve dhe kombeve përreth, më pastaj, pas një kohe mbase më të gjatë, edhe ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, edhe pse në rastin e fundit jo në përmasa të mëdha siç mund të ndodhë në rastin e parë, apo siç mund të presin armiqtë tanë. Por pse të lejojmë ne sot, që edhe ato përmasa hipotetikisht të vogla, të shfaqen nesër!?
Konfliktin eventual në të dy rastet e bëjnë të mundur disa faktorë: multietniciteti ka filluar t’i marrë këmbët, ndërsa që të formësohet më mirë, ka qenë e nevojshme të merren disa hapa që do ta mundësonin ruajtjen e qenies se tij, që sipas planprogramit të burokratëve ndërkombëtarë dhe atyre kombëtarë duhet të jenë konsistent e konsekuent. Ndër ta, si më relevant mund jenë: flamuri i Kosovës diametralisht i kundërt me atë të Shqipërisë, ndërsa ngjyrat e ngjashme me atë të Serbisë; himni pa tekst, si rrjedhojë pa histori; mohimi i trashëgimisë kulturore shqiptare, të cilin e mundëson projekti famëkeq i eksterritorialitetit, me qëllim të balancimit të historisë së shqiptarëve dhe serbëve, për t’u arsyetuar shteti multietnik; decentralizimi në baza etnike; një element tjetër i rëndësishëm, prej tipareve qenësore të kombeve – gjuha, dhe një sërë faktorësh të tjerë.
Një person që nuk është i njohur me zhvillimet politike, sociale në Kosovë, me të drejtë mund të pyes, si mund të bëhet gjuha faktor i ndarjes mes shqiptarëve?
Gjuha aktualisht nuk është një tipar dallues mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, por pasi që në Kosovë ka tendenca ta përftohet dialekti gegë, atëherë gjuha edhe mund të bëhet tipari dallues, që përfundimisht do t’i shërbente çimentimit të dikotomisë mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Nëse në të kaluarën pikërisht gjuha ishte elementi kyç i konstituimit të kombit shqiptar, si konstruksion i organizuar politik, ajo në të ardhmen mund të ketë rol dominues në ndarjen e shqiptarëve.

Nëse ndarja e vëllezërve është shkaku i shkëputjes së familjes së ngushtë, në bazë të cilës formohet familja e zgjeruar, e cila më pastaj ndahet në kushërinj e fise, atëherë domosdo edhe ndarja e shqiptarëve në dysh është një akt që do t’i shërbejë destabilizimit të kombeve përreth nesh dhe mbi ne. E metë tjetër e ndarjes është se ne shqiptarët e Kosovës shumë lehtë, pas një periudhe ndoshta jo edhe të gjatë, vëllezërit tanë nga Shqipëria, mund t’i konsiderojmë si “tjetri”, të huajë nga ajo që jemi “ne”, apo edhe më keq se kaq. Sigurisht se në këtë aspekt faktori ndërkombëtar dhe ai kombëtar, ky i fundit duke iu nënshtruar të parit, me apo pa vetëdije, janë duke kontribuar për krijimin e një destabilizimi të ri në vend dhe rajon.

Duke qenë se në botën demokratike funksionon parimi i shumicës, është tejet absurde që për pakicën, pjesa më e madhe e së cilës ka qenë shoqëri denigruese, shtypëse e shkatërruese, të sakrifikohet shumica. Pakicave duhet t’u jepen të gjitha të drejtat duke u bazuar në konventat ndërkombëtare, ama kurrsesi nuk duhet të bëhet dallim mes tyre, siç ngjan në Kosovë dhe rajon.
Në emër të multietnicitetit, politikanët tanë së bashku me ndërkombëtarët bëjnë krim mbi popullin shqiptar, i cili përbën mbi 95% të qytetarëve në Kosovë. Një shtet mund të jetë multietnik, vetëm atëherë kur në një njësi politike nuk e përbën shumicën asnjë prej entiteteve etnike.
Ndërsa krijimi i sa më shumë kombeve lë pas vete mundësi të mëdha armiqësie mes pjesëtarëve të kombeve të ndryshme, ngase secili prej tyre krijon kultura që ndryshojnë prej të tjerëve, në anën tjetër arritja e bashkimit të kombeve me gjak, gjuhë dhe kulturë të përbashkët i shërben eliminimit të mundshëm konfliktuoz mes kombeve.

Kozmopolitizmi është një ideologji tipike iluzioniste e llojit të komunizmit. Eksponentët e saj nuk i posedojnë mekanizmat mbrojtës që do të mundësonin realizimin e ideologjisë në fjalë. Prandaj cilësimi i kozmopolitizmit si utopi nuk do të ishte marrëzi. Këtë konkludim fuqishëm e mbështesin faktet e deritanishme.
Është naivitet të mendohet se kombi-shtet qytetar amerikan mund të jetë paradigmë për shqiptarët. Assesi s’mund të jetë, ngase shteti amerikan është një shkrirje e etnive të ndryshme, që e bën atë shtet qytetar.
Ndërsa ne shqiptarët jemi autoktonë në trevat tona, amerikanët janë një komb artificial, i formuar në bazë të ndjenjës së fatit të përbashkët, të zbritur nga të gjitha kontinentet e botës, madje duke i eksploatuar, shfrytëzuar në mënyrën më mizore banorët indigjen. Në atë shtet nuk mund të ketë solidaritet, dashuri e humanitet të mirëfilltë mes njerëzve. Edhe nëse janë dhënë shenja solidariteti, ato sigurisht janë artificiale, mekanike të bazuara në interesin material reciprok. Po të shkëputet interesi material, edhe solidaritetin do ta prijë i njëjti fat!
Pikërisht për faktin se Amerika nuk ka një kohezion të brendshëm shoqëror, krijon një kapital të lartë ekonomik për ta ruajtur kohezion artificial, i cili tek të tjerët paraqitet si real.


Muhamet Krasniqi
Student i Departamentit
të Sociologjisë – UP

Monday, June 8, 2009

ALEGORIA E SHKALLËS KOMUNISTE!

ALEGORIA E SHKALLËS KOMUNISTE!

Komunizmi në teori është një ideologji pak më shumë se relativisht e arsyeshme (abstrahojmë idenë mbi Zotin), por në përpjekje për t’u aplikuar, qartazi paraqitet si një utopi tipike, për më keq, një sistem tronditës dhe mizor për shoqërinë.

Karl Marks dhe Frederik Engels, ishin ideatorë të komunizmit.
Në vitin 1847 - 1848, në Londër, u mblodhën komunistët e kombësive të ndryshme, dhe hartuan “Manifestin e Partisë Komuniste”.
Ideal i komunizmit është barazia. Marksi theksonte se ajo mund të realizohet në një stad të lartë të zhvillimit shoqëror, që do të njihej si komunizëm. Ishte Marksi, ai që shtroi idenë e një shoqërie pa klasa, e cila, sipas tij, do të ndalonte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu.
Gjithashtu Marksi e mendonte një botë të bashkuar, internacionale, pa shtete - kombe, pa klasa, pa parlament e qeveri, pa ushtri e polici, dhe pa asnjë autoritet të vetëm. E gjithë kjo, sipas tij, do të bëhej e mundur kur shoqëria do të arrinte një nivel të lartë të dijes. Edhe pse nivelin e lartë të dijes asnjëherë nuk e precizonte, në fakt, ai, pothuajse asgjë nuk precizonte, madje shumë teoricienë social janë të mendimit se idetë e Marksit mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, jo rrallë herë duke u shoqëruar edhe me kontradikta.
Në manifestin komunist nënvizohet se, “për dallim nga revolucionet tjera që janë realizuar nga pakica për interesat e pakicës, Revolucioni i Proletariatit do të realizohet nga shumica për interesin e të gjithëve”. Marksi gjithnjë theksonte se lufta klasore është burim i të gjitha ndryshimeve shoqërore.

Përkundër Marksit, që shtetin e shikonte si të panevojshëm, Hobsi (1588-1679) filozof dhe mendimtar me ndikim, mendonte se “një botë pa shtet është luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”. Kjo thënie e Hobsit, është shumë e saktë, do të mbetet gjithnjë aktuale, duke i përgënjeshtruar idetë utopiste të komunistëve.
Marksi nuk e ka menduar se për t’u realizuar maksima e tij, “Secili sipas aftësive, secili sipas nevojave” do të duhej të ekzistonte një mekanizëm institucional i shoqëruar me autoritet, i cili, do të mundësonte shpërndarjen e të mirave materiale për popullatën! Në të kundërtën, në shoqëri do të rishfaqej anarkia!

Megjithëse lufta klasore mund të sjell ndryshime, duhet theksuar se jo gjithë herë ato ndryshime rezultojnë me progresin e prosperitetin. Përkundrazi, historia ka dëshmuar se përpjekja për instalimin e komunizmit, e ka kthyer shoqërinë në regres, dhe ka sjellë luftëra të përgjakshme. Vetëm në ish Bashkimin Sovjetik, sistemi socialist - komunist, në krye të cilit qëndronte njëri prej diktatorëve më të mëdhenj në tërë historinë e njerëzimit - Stalini, - vrau mbi 20 milionë njerëz të pafajshëm. Ndërsa sipas disa statistikave jo zyrtare, regjimi totalitar i komunizmit, në gjithë botën, ka lënë pas vete afro 100 milionë të vdekur.

Për të mos vazhduar më tutje, idetë e fantazistit Karl Marks, do t’i parafrazoj në një shembull, i cili, në mënyrë metaforike tregon se ku mund të na shpjerë përpjekja për ta instaluar ideologjinë komuniste.
Alegoria e shkallës!
Përpjekja e një shoqërie të caktuar për ta aplikuar komunizmin, është njësoj sikurse shembulli i një personi që perceptohet si inteligjent nga shoqëria, (në fakt është një gënjeshtar i pandërgjegjshëm) - i cili iu rekomandon qytetarëve t’ia mësyjnë hënës me një shkallë druri, me pretekstin se vetëm atje do të realizohen dëshirat dhe idealet e tyre; të gjithë do të jenë të barabartë e të lumtur. Dhe iu thotë, se cili prej jush ballafaqohet me vështirësitë që do t’i paraqiten dhe me çdo kusht i anashkalon ato, ai do të shpallet revolucionar i devotshëm . Dhe çfarë ngjan pastaj! Fillojnë njerëzit e shkretë, të paditur, t’i demonstrojnë rekomandimet e "inteligjentit". Duke u përpjekur për të ndërtuar shkallën, e duke u ngjitur lartë, ata ballafaqohen me vështirësi të mëdha, bëhen rivalë mes vete, shpeshherë edhe ujk për njëri-tjetrin, - vetëm e vetëm për të arritur atje ku u premtoi "inteligjenti". Sa e bëjnë një punë relativisht të mirë, e lënë atë, për ta vazhduar të nesërmen,... kur qe!, të nesërmen shohin se gjysma e ndërtimit të shkallës është rrënuar nga një stuhi që kishte mbretëruar natën e vonë. Më pas, vazhdojnë me të njëjtin ritëm, dhe me të njëjtat probleme jo, por, pothuajse me dyfishin e tyre,... edhe me tutje vazhdojnë acarimet mes tyre, si rrjedhojë, dikush nga shkalla bie poshtë, të tjerë i nënshtrohen një autoriteti dhe veprojnë atë që iu kërkohet, dikush vritet për shkak mosnënshtrimi...
Ndërkohë, qytetarëve iu shkrep diç në kokë,... kuptojnë se personi i cili identifikohej si "inteligjent" nuk ishte tjetër veçse një mashtrues, i cili, për qëllime personale, të panjohura për masën, tentonte t’i bëjë qytetarët t’i binden atij.
Më në fund, qytetarët e mashtruar, vetëdijesohen dhe heqin dorë nga përpjekjet për ndërtimin e shkallës, për të cilën, mendonin se do t’i shpjerë në hënë...



Muhamet Krasniqi
Student i Departamentit
të Sociologjisë – UP