Friday, January 22, 2010

IMPERIALIZMI NËN VELLON E GLOBALIZIMIT!

IMPERIALIZMI NËN VELLON E GLOBALIZIMIT!
(Parahistoria në histori)

Diskriminimi, shfrytëzimi, shtypja, segregacioni dhe luftërat kanë ekzistuar pothuajse gjatë gjithë historisë së dokumentuar të njerëzimit, ndërsa vetëm trajta e tyre ka ndryshuar epokë pas epoke.

Ndërsa sistemi shtypës skllavopronar u zëvendësua nga feudalizmi, këtë të fundit e zëvendësoi kapitalizmi, i cili në qarqe të ndryshme botërore perceptohet si sinonim i imperializmit.
Ndërkaq në epokën e postmodernizmit, rolin të cilin dikur e luanin skllavopronaria, aristokracia, perandoritë, feudalizmi e kolonializmi, sot globalizimi e aplikon në mënyrë të përkryer, “njerëzore”, “humane”.
Katër sferat përmes të cilave zhvillohet globalizimi janë: sfera ekonomike, politike, kulturore dhe ushtarake.

Në botën e globalizuar, që udhëhiqet nga klane të fshehta botërore, mbi shtetet e ashtuquajtura “vendet në zhvillim” - (term që ka hyrë në përdorim kah mesi i shek XX – për të reflektuar pozitivisht tek të shtypurit) shfrytëzimi i resurseve natyrore e njerëzore nuk është i nevojshëm të bëhet ushtarakisht, e duke ushtruar dhunë konkrete, mbase edhe këtë globalistët e aplikojnë aty ku platformat “e buta” ju dështojnë.
Jemi dëshmitar se sot metodat për shfrytëzimin e qenies njerëzore, në krahasim me të kaluarat janë sofistikuar tej mase, gjë që ka ngjallur shqetësime tek popullsia e vendeve jo të industrializuara, ngase disa prej tyre, pikërisht pse pengohen nga “peshqit e mëdhenj” e kanë të vështirë ta bindin masën për dëmet që i sjell globalizimi, krahas disa dobive, ndërsa disa të tjera as që tentojnë ta bindin atë, ngase paraprakisht i janë nënshtruar globalistëve.

Përderisa në botën e globalizuar mund të shfrytëzohesh në mënyrë moderne e tinzare, nuk paraqitet nevoja që të kolonizohesh territorialisht përmes ekspansionit ushtarak. Rolin e ushtrisë sot e ushtron ekonomia, politika, teknologjia, kultura dhe më e rëndësishmja, mediet, të njohura si pushteti i katërt shtetëror, përmes të cilave pushtetarët manipulojnë me opinionin publik.
Siç thoshte njëri prej përfaqësuesve kryesorë të Shkollës së Frankfurtit (Teorisë Kritike) – Herbert Marcuse: “Teknologjia shërben për të krijuar forma të reja, më efektive dhe më të këndshme të kontrollit shoqëror dhe të kohezionit shoqëror”.

Sot shoqëritë kapitaliste perëndimore, përmes globalizimit i shfrytëzojnë vendet joperëndimore në mënyrën më perfide të mundshme. Pothuajse të gjitha resurset na shfrytëzojnë, e pastaj pikërisht përmes shfrytëzimit të tyre, perëndimorët mburren kinse na ndihmojnë. Sa të marrë që janë,... mbase kjo marrëzi atyre ju bën dobi, dhe do ta shprehin deri atëherë kur do të zgjohemi nga kjo amulli.

Imperializmi si faza më e lartë e kapitalizmit u shërben shteteve industriale-kapitaliste për të instaluar ideologji e vlera perëndimore, përmes të cilave ata i arrijnë synimet e tyre ekonomike, politike e kulturore.
Nuk do të gabonim nëse epokën postmoderne të globalizuar, ta perceptonim si sinonim i politikave shtypëse paraprake, të cilat sot vetëm formën e kanë ndryshuar, ndërsa qëllimi i shtypjes, nënshtrimit e sundimit mbi shtetet e varfra mbetet i njëjtë.
Në këtë kontekst, Samyel Huntigton kishte të drejtë kur shkruante se, “Atë që perëndimoret e shohin si integrim global të mirë,... joperëndimorët e denoncojnë si imperializëm perëndimor të pandershëm”.

Ndërsa në epokën para-industriale, mungesa e mjeteve tekniko-teknologjike, urbanizimit dhe industrializimit i detyronte kolonizatorët që pushtimi i territoreve të jetë parakushti kryesor dhe domosdoshmëria qenësore për shtrirjen e autoritetit mbi vendet e kolonizuara, sot në botën e globalizuar rrethanat kanë ndryshuar krejtësisht. Si rrjedhojë, pushtimi i territorit nuk e përbën premisën parësore për arritjen e qëllimeve imperialiste, nënshtruese e shfrytëzuese.
Meqenëse mjetet e kontrollit kanë ndryshuar, rrjedhimisht kanë ndryshuar edhe metodat e shtypjes. Madje këto metoda të reja janë shumë më efikase për shtypjen e popujve, nëse i krahasojmë me ato që ishin para tyre. Tashmë perëndimorët e kanë kuptuar se tjetërsimi i vlerave kombëtare, religjioze e morale duhet bërë gradualisht, me qëllim që nënshtrimi i popujve të jetë latent dhe permanent, për t’u pranuar më vonë si i mirëqenë dhe i natyrshëm.

Jemi të detyruar të pajtohemi me tezën e Marksit, se kapitali i lartë ekonomik, një ditë përfundimisht do ta përmbysë sistemin kapitalist. Simptomat e para fillimisht do të shfaqen në vendet ku kapitali është më lartë, si Amerikë, Kinë, Gjermani e Japoni, për të reflektuar më vonë në dimensionin global në përgjithësi. Aty ku kapitali është më i theksuar pasojat do të jenë më të mëdha, mbase duke u bazuar në krizën ekonomike të viteve ’30-a, të cilën Amerika e tejkalon duke ngadhënjyer, mund të kemi përsëritje të historisë së krizës.

Parahistoria në histori

Na flasin për epokën moderne! Për ç’epokë moderne e kanë fjalën!? Epokë në të cilën janë përfshirë të gjitha vendet e botës apo vetëm ato të industrializuara!?

Nëse modernizimi erdhi si produkt i industrializimit, ky i fundit u mundësua nga kolonizimi dhe eksploatimi i vendeve joperëndimore: Amerikë, Azi e Afrikë, gjë që e
e bëri të mundur modernizimin perëndimor mbi kurrizin e po këtyre vendeve, ndërkaq historia perëndimore na mëson ndryshe.
Ç’histori e shëmtuar na është servuar, të cilën verbërisht dhe fare pa e seleksionuar kemi absorbuar!

Së këndejmi, Akademitë e Shkencave, Universitetet dhe Shkollat për të shënuar, kujtuar e rrëfyer mbi gjendjen e mjeruar të popujve të lashtë, gjithnjë marrim shembuj nga parahistoria e largët, duke harruar se parahistorinë e kemi në historinë tonë. Atë e gjejmë në Afrikë, vende të Azisë e Amerikës Latine dhe në disa pjesë të Ballkanit.
Duke qenë se një pjesë e madhe e botës është duke jetuar sikurse në parahistori, dhe atë si pasojë e politikave shtypëse të perëndimorëve dhe atyre të korruptuara e të shantazhuara vendore, ne për të përshkruar mjerimin dhe vuajtjet e njerëzve, nuk kemi nevojë të marrim shembuj nga historia e kaluar, por nga e tashmja parahistorike.

Në kohën kur njerëzit vdesin urie, Amerika shtet që në nivel botëror shënon rreth 6% të popullsisë, ka të përqendruar 50% të pasurisë botërore. Ndërkaq për vitin 2010 kongresi amerikan ka miratuar buxhetin ushtarak të ShBA-së që kap një shifrën marramendëse, prej 636 miliardë dollarësh. Shteti amerikan posedon 10.000 bomba atomike, të cilat i përdor si kërcënim për shtetet konkurrente, ndërsa në anën tjetër është mbështjellur me petkun e humanitetit dhe bamirësisë.
S’do mend se këto statistika janë tejet disproporcionale dhe shqetësuese për të ardhmen e shoqërisë bashkëkohore, të cilat një ditë do ta kërcënojnë seriozisht paqen botërore.

Gjithë ketë që e thamë deri më tani, komunistët s’do mend se e shohin si pretekst për ta paraqitur alternativën e tyre si të vetmen të mundshme për të dalë nga kriza e kapitalizmit global. Por ja që logjika për ta kthyer sistemin socialist - komunist, me pretekstin se kapitalizmin e ka kapluar kriza globale, përveçse është një ëndërr e parealizueshme, vetëm përpjekjet për ta praktikuar atë, siç na dëshmon përvoja e hidhur, mund të qojnë në diktatura të ashpra me pasoja fatale për shoqëritë. Prandaj nga këto ide infantile, le të rrinë të qetë kapitalistët, sepse komunizmi nuk do të rikthehet kurrë, ngaqë asnjëherë nuk u ndërtua, dhe meqë nuk u ndërtua asnjëherë nuk do të rrënohet.

Megjithatë, këto parashikime, vlerësime e konstatime, sigurisht se nuk shkojnë në favor të asnjërit prej këtyre dy sistemeve, por të një sistemi të tretë, mes tyre, i cili përpiqet t’i shmang dhe eliminoj dobësitë e kapitalizmit - (tezës) dhe komunizmit – (antitezës) mbi të cilin do të ngriheshin virtytet e pastra morale dhe profesionale, të cilat domosdo kushtëzojnë prodhimin e sintezës.


Kontakti: http://www.muhametkrasniqi.blogspot.com/

Muhamet Krasniqi, student i Departamentit të Sociologjisë – UP