Saturday, May 29, 2010

NGRITJA DHE KOLAPSI I TEKNOLOGJISË DHE LIBERAL DEMOKRACISË!

Njeriu e “krijoi” teknologjinë që t’i shërbejë atij, ndërkaq ajo e tradhtoi, e shndërroi në vegël dhe e bëri rob të saj!

Intensifikimi i inovacioneve tekniko-teknologjike në një të ardhme, mbase edhe jo të largët, lehtë mund të bëhet faktori relevant i revoltimit të masave, të cilat, të frustuara me gjendjen kaotike, të pabarabartë, robotizuar, denatyralizuar e dehumanizuar, përfundimisht do të ngrihen t’i qërojnë hesapet me teknologjinë e robotizuar dhe rrjedhimisht edhe me Liberal-Demokracinë, produkt i së cilës ishte prodhimi i shfrenuar dhe fare i pa seleksionuar.

Ç’lidhje mund të ketë mes Liberal-Demokracisë dhe teknologjisë? - me të drejtë mund të pyesin të gjithë ata që nuk e kanë pasur të njohur ndërlidhjen e mëhershme kazuale të tyre. Ndërkohë antipodi i këtyre njerëzve, me të lexuar titullin e këtij shkrimi mund të ketë ngjarë se e kanë “nuhatur” edhe përmbajtjen e tij.
Megjithatë, padyshim se ekziston një dallim qenësor, i natyrës shkak-pasojë, që manifestohet me ndërrimin e roleve, ku shkaku zë vendin e pasojës dhe anasjelltas!
Ndërsa në shekullin XX, veçanërisht në fillimin e gjysmës së dytë të tij, Liberal-Demokracia me politikat e saj të tregut të lirë ia hapi rrugët më shumë se që duhej kompanive e korporatave tekniko-teknologjike, që të prodhojnë pa reshtur, e pothuajse pa farë kriteri e kontrolli - në të ardhmen domosdoshmërisht do të ketë ndërrim pozicionesh. Këto kompani me prodhimet e zbulimet e tyre enorme që po i plasojnë në treg, do të ndikojnë në mënyrë indirekte të sfidohet dhe përfundimisht të rrënohet sistemi Liberal-Demokrat, që po e mundëson prodhimin e pakontrolluar të kapitalistëve.
Liberal-Demokracia po e mundëson ngritjen e vrazhdë të teknologjisë së robotizuar, ndërkohë kjo e fundit këtij sistemi gradualisht po ia përgatit terrenin e kolapsit.

Për më tepër, nëse vazhdohet me këtë ritëm të zbulimeve teknologjike, përfundimisht bota pothuajse e tëra do të robotizohet, veçanërisht ajo perëndimore dhe si rezultat njeriu, si asnjëherë më parë, do të dehumanizohet, duke i humbur ndjenjat për familjen dhe shoqërinë; Zotin e shpirtin; traditën e kulturën; moralin, nderin, respektin e kështu me radhë, derisa të mos i mbetet asnjë vlerë e vetme. Në një gjendje të tillë, kaotike shoqërore, njerëzit do të zhvishen edhe nga ky solidaritet i pakët që u ka mbetur, i cili do të zëvendësohet me idetë e pikëpamjet multiraciste, egocentriste, diskriminuese, shtypëse dhe, për më keq se kaq, do të mund të fillojnë të manifestohen në praktikë sintagmat e njohura të Hobsit, “Njeriu për njeriun është ujk” dhe “Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”.
Masat do të rebelohen pikërisht për shkak të reduktimit të punëtorëve dhe jetës pa shije, të dehumanizuar.

Në këtë kontekst, vlen të citohet njëri prej pionierëve të Revolucionit Borgjez Francez, mendimtari i shquar i shekullit XVIII - Zhan Zhak Ruso, i cili ishte konsekuent në idetë e tij për kthimin tek natyra dhe kritikën që ia bënte civilizimit.
Zhvillimi i shkencës dhe i artit, për Rusoin, jo që nuk i kontribuoi shoqërisë, por, përkundrazi e përkeqësonte gjendjen ekzistuese të atëhershme. Qytetërimi është johuman, iluzor, i zbrazët dhe i dëmshëm, thoshte Ruso, dhe pikërisht për këtë arsye, mendonte ai, imperativi kryesor për shpëtimin e shoqërisë duhet të jetë kthimi tek natyra, kthim i cili do të çlironte njeriun nga pabarazitë politike, si epërsi që gëzojnë disa individë mbi kurrizin e të tjerëve. Megjithatë, idenë e Rusoit për kthimin tek natyra, nuk duhet ta kuptojmë ashtu siç e keqkuptonte bashkëkohësi i tij Volteri, i cili në letrën që i shkroi Rusoit, ndër të tjera shkruante: “leximi i librit tuaj do të ngjallë te dikush nevojën të ecë me katër këmbë”, mbase as ashtu siç do të mund ta kuptonte edhe vet Rusoi. Me kthimin tek natyra Rusoi nënkuptonte se shoqëria e re qytetare duhet t’i ruajë disa atribute esenciale të gjendjes natyrore. Me këtë aludonte në lirinë natyrore, e cila nuk mund t’i cenohet askujt, përveç në rastin kur njeriu e keqpërdor atë, si kërcënim për lirinë e tjetrit.

Vetëm një Zot e di se ç’do të ndodhë në të vërtetë, por meqë parashikimet nuk janë të ndaluara të bëhen, unë po i jap të drejtën vetes të parashikoj të ardhmen e sistemeve politike, me shpresën se parashikimi im nuk do të realizohet asnjëherë, ndërkaq realizimi i pjesshëm i këtij parashikimi është më mirë të mos ndodhë fare.
Pas këtij kolapsi të teknologjisë dhe Liberal-Demokracisë, mbase mund të vinë në shprehje sisteme totalitare, të cilat askush nuk i dëshiron, por që në një situatë të tillë, një sistem autoritativ, jo autoritar apo totalitar, ndonëse i shoqëruar me ndonjë element të tyre - do të bëhet i domosdoshëm. Apo thënë më saktë, ajo strukturë politiko-shoqërore që do të jetë më e organizuar dhe e cila e realizon një revolucion të tillë, të paparë ndonjëherë në historinë e njerëzimit, do të jetë kandidat potencial për udhëheqjen e atij vendi ku kolapson Teknologjia dhe Liberal-Demokracia.
Qeveritë dhe kompanitë transnacionale do t’i kenë vetëm dy mundësi për dalje nga kriza: ose duhet ta asgjësojnë tërë teknologjinë e robotizuar, si pasojë e të cilës, ekstremisht do të reduktohet numri i punëtorëve në përgjithësi dhe nëpunësve administrativ, ose duhet që t’i ofrojnë shërbime popullit pa punuar fare, në mënyrë që mos të lejojnë që ata të revoltohen ndaj kompanive dhe shtetit Liberal-Demokrat, i cili me indiferencën karshi prodhimit të shfrenuar kapitalist, në mënyrë indirekte e solli sistemin në një gjendje të tillë para kolapsit.
Supozojmë se opsioni i dytë do të aplikohet nga udhëheqësit Liberal Demokrat. Në atë rast përveçse jeta do të bëhej tërësisht monotone, si rezultat i së cilës mund të shfaqet një krizë shpirtërore, pikërisht pse pothuajse çdo gjë është robotizuar përveç shpirtit, edhe ata pak punëtorë që i vënë në funksion makinat, industritë dhe teknologjitë prodhuese robotike do ta rishikojnë statusin e tyre të nëpunësit apo punëdhënësit, të cilët me të drejtë mund të pyesin: “nëse shumica e njerëzve po jetojnë pa punuar, dhe këtë pikërisht si rezultat i punës tonë, pse atëherë duhet të punojmë ne”. Ju paguheni nga kompanitë shumë më shumë - u thotë dikush. Por ç’ju duhet paga me e lartë, kur edhe ata që fare nuk punojnë i kryejnë të gjitha shërbimet e nevojshme, duke mos e përjashtuar edhe luksin në raste të caktuara, dhe këtë krejt si rezultat i punës së të tjerëve. Ndërkohë, egoja, këtyre të fundit, u thotë se ju nuk keni pse të punoni për të tjerët, ashtu siç të tjerët nuk kanë pse të punojnë për ju. Këtë për faktin se në një situatë të tillë, individualizmi dhe egoizmi kanë arritur në stadin më të lartë të mundshëm.

Përfundimisht, Liberal Demokracinë nuk duhet ta kuptojmë ashtu siç janë duke e keqkuptuar vet liberal demokratët, por ta kuptojmë ashtu siç Giovani Sartori, ndonëse jo domosdoshmërisht e kuptonte ashtu siç njëmend duhet të kuptohet, por të paktën e pohonte në librin “Ç’është Demokracia” ashtu siç në praktikë duhet të manifestohet, se: “Liria kërkon kufij, kurse shthurja është një shfrenim që shkatërron lirinë”.


Muhamet Krasniqi,
student i Departamentit
të Sociologjisë - UP