Monday, June 8, 2009

ALEGORIA E SHKALLËS KOMUNISTE!

ALEGORIA E SHKALLËS KOMUNISTE!

Komunizmi në teori është një ideologji pak më shumë se relativisht e arsyeshme (abstrahojmë idenë mbi Zotin), por në përpjekje për t’u aplikuar, qartazi paraqitet si një utopi tipike, për më keq, një sistem tronditës dhe mizor për shoqërinë.

Karl Marks dhe Frederik Engels, ishin ideatorë të komunizmit.
Në vitin 1847 - 1848, në Londër, u mblodhën komunistët e kombësive të ndryshme, dhe hartuan “Manifestin e Partisë Komuniste”.
Ideal i komunizmit është barazia. Marksi theksonte se ajo mund të realizohet në një stad të lartë të zhvillimit shoqëror, që do të njihej si komunizëm. Ishte Marksi, ai që shtroi idenë e një shoqërie pa klasa, e cila, sipas tij, do të ndalonte shfrytëzimin e njeriut nga njeriu.
Gjithashtu Marksi e mendonte një botë të bashkuar, internacionale, pa shtete - kombe, pa klasa, pa parlament e qeveri, pa ushtri e polici, dhe pa asnjë autoritet të vetëm. E gjithë kjo, sipas tij, do të bëhej e mundur kur shoqëria do të arrinte një nivel të lartë të dijes. Edhe pse nivelin e lartë të dijes asnjëherë nuk e precizonte, në fakt, ai, pothuajse asgjë nuk precizonte, madje shumë teoricienë social janë të mendimit se idetë e Marksit mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, jo rrallë herë duke u shoqëruar edhe me kontradikta.
Në manifestin komunist nënvizohet se, “për dallim nga revolucionet tjera që janë realizuar nga pakica për interesat e pakicës, Revolucioni i Proletariatit do të realizohet nga shumica për interesin e të gjithëve”. Marksi gjithnjë theksonte se lufta klasore është burim i të gjitha ndryshimeve shoqërore.

Përkundër Marksit, që shtetin e shikonte si të panevojshëm, Hobsi (1588-1679) filozof dhe mendimtar me ndikim, mendonte se “një botë pa shtet është luftë e të gjithëve kundër të gjithëve”. Kjo thënie e Hobsit, është shumë e saktë, do të mbetet gjithnjë aktuale, duke i përgënjeshtruar idetë utopiste të komunistëve.
Marksi nuk e ka menduar se për t’u realizuar maksima e tij, “Secili sipas aftësive, secili sipas nevojave” do të duhej të ekzistonte një mekanizëm institucional i shoqëruar me autoritet, i cili, do të mundësonte shpërndarjen e të mirave materiale për popullatën! Në të kundërtën, në shoqëri do të rishfaqej anarkia!

Megjithëse lufta klasore mund të sjell ndryshime, duhet theksuar se jo gjithë herë ato ndryshime rezultojnë me progresin e prosperitetin. Përkundrazi, historia ka dëshmuar se përpjekja për instalimin e komunizmit, e ka kthyer shoqërinë në regres, dhe ka sjellë luftëra të përgjakshme. Vetëm në ish Bashkimin Sovjetik, sistemi socialist - komunist, në krye të cilit qëndronte njëri prej diktatorëve më të mëdhenj në tërë historinë e njerëzimit - Stalini, - vrau mbi 20 milionë njerëz të pafajshëm. Ndërsa sipas disa statistikave jo zyrtare, regjimi totalitar i komunizmit, në gjithë botën, ka lënë pas vete afro 100 milionë të vdekur.

Për të mos vazhduar më tutje, idetë e fantazistit Karl Marks, do t’i parafrazoj në një shembull, i cili, në mënyrë metaforike tregon se ku mund të na shpjerë përpjekja për ta instaluar ideologjinë komuniste.
Alegoria e shkallës!
Përpjekja e një shoqërie të caktuar për ta aplikuar komunizmin, është njësoj sikurse shembulli i një personi që perceptohet si inteligjent nga shoqëria, (në fakt është një gënjeshtar i pandërgjegjshëm) - i cili iu rekomandon qytetarëve t’ia mësyjnë hënës me një shkallë druri, me pretekstin se vetëm atje do të realizohen dëshirat dhe idealet e tyre; të gjithë do të jenë të barabartë e të lumtur. Dhe iu thotë, se cili prej jush ballafaqohet me vështirësitë që do t’i paraqiten dhe me çdo kusht i anashkalon ato, ai do të shpallet revolucionar i devotshëm . Dhe çfarë ngjan pastaj! Fillojnë njerëzit e shkretë, të paditur, t’i demonstrojnë rekomandimet e "inteligjentit". Duke u përpjekur për të ndërtuar shkallën, e duke u ngjitur lartë, ata ballafaqohen me vështirësi të mëdha, bëhen rivalë mes vete, shpeshherë edhe ujk për njëri-tjetrin, - vetëm e vetëm për të arritur atje ku u premtoi "inteligjenti". Sa e bëjnë një punë relativisht të mirë, e lënë atë, për ta vazhduar të nesërmen,... kur qe!, të nesërmen shohin se gjysma e ndërtimit të shkallës është rrënuar nga një stuhi që kishte mbretëruar natën e vonë. Më pas, vazhdojnë me të njëjtin ritëm, dhe me të njëjtat probleme jo, por, pothuajse me dyfishin e tyre,... edhe me tutje vazhdojnë acarimet mes tyre, si rrjedhojë, dikush nga shkalla bie poshtë, të tjerë i nënshtrohen një autoriteti dhe veprojnë atë që iu kërkohet, dikush vritet për shkak mosnënshtrimi...
Ndërkohë, qytetarëve iu shkrep diç në kokë,... kuptojnë se personi i cili identifikohej si "inteligjent" nuk ishte tjetër veçse një mashtrues, i cili, për qëllime personale, të panjohura për masën, tentonte t’i bëjë qytetarët t’i binden atij.
Më në fund, qytetarët e mashtruar, vetëdijesohen dhe heqin dorë nga përpjekjet për ndërtimin e shkallës, për të cilën, mendonin se do t’i shpjerë në hënë...



Muhamet Krasniqi
Student i Departamentit
të Sociologjisë – UP

No comments:

Post a Comment